Ligji i Goduinit është që sa më gjatë të vazhdojnë debatet në internet, aq më shumë gjasa ka që dikush të përmendë Hitlerin dhe nazistët. Ky ishte një vëzhgim argëtues e që i shërbente një qëllimi të dobishëm, mbrojtjes ndaj hiperbolave dhe krahasimeve të tepruara. Por gushtin e shkuar, kur e djathta ekstreme në Amerikë organizoi një paradë me pishtarë në Charlottesville, Majk Goduin “e pezulloi” ligjin e vet. “Mund t’i krahasoni pa problem këta plehra me nazistët”, shkroi ai në Twitter. “Do të jem gjithnjë me ju”.

Pavarësisht këtij përjashtimi, unë vendosa t’i bindem versionit tim të ligjit të Goduinit. Përpiqem t’i shmang krahasimet me nazistët, kryesisht sepse janë pothuajse gjithnjë gabim, por gjithashtu, edhe pse nuk duan të dramatizojnë tmerret, zakonisht shërbejnë për të minimizuar vrasjen e milionave në vitet 1940. Megjithatë, kjo lloj vetëpërmbajtjeje ka një çmim. Nëse e quajmë epokën e nazizmit si diçka që nuk duhet përmendur, si diçka që është aq e largët në përvojën e njerëzve normalë sa mund të ketë ndodhur edhe në ndonjë planet tjetër, në planetin Aushvic, atëherë rrezikojmë të mos e marrim mësimin nga kjo ngjarje. Do të na bënte të çonim dëm përfitimin thelbësor që ofron studimi i Rajhut të Tretë: një sistem parandalues sa nuk është vonë.

Prandaj, po: kur Donald Trump urdhëroi autoritetet amerikane të ndanin fëmijët e emigrantëve nga prindërit, të shkulnin nga etërit të vegjlit duke qarë, të hiqnin bebe nga gjiri i nënave, ai vërtet që nuk po rikrijonte Holokaustin. Ai nuk po urdhëronte shfarosjen e një populli të tërë dhe as nuk po dërgonte miliona drejt vdekjes. Por këto ishin jehona nga e shkuara dhe duhet t’i dëgjojmë.

Në radhë të parë, është vetë akti i ndarjes. Nëse i merr në intervistë të mbijetuarit e Holokaustit, një gjë që vëren është se edhe ata që janë mësuar të përshkruajnë ngjarje nga më mizoret, që dinë ta mbajnë veten, shpesh janë gati të derdhin lot kur kujtojnë pikërisht çastin e ndarjes nga prindërit. Shumica sot janë mbi të tetëdhjetat, por po u kthehen kujtimet te ai çasti i tmerrshëm i fëmijërisë, një tmerr që nuk i lë kurrë.

Prindërit e që u ndanë nga 2300 fëmijë në kufirin midis Meksikës dhe SHBA-ve vërtet që nuk u morën për t’u vrarë. Por në ato çaste ata nisin të besojnë se mund të mos i shohin më kurrë bijtë e bijat e tyre, pasi disa ishin ndarë me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë sistem që t’i ribashkojë. Fëmijët nuk ishin regjistruar siç duhet. Si mund të shpjegojë një dy-vjeçar që s’di anglisht se cili është e se nga vjen? Ndoshta pas 80 vitesh, burra e gra të moshuar do të përloten kur të kujtojnë se si nëna e tyre u mor nga agjentë me uniforma të qeverisë amerikane dhe nuk u panë më kurrë.

Por jehona që kujton të shkuarën nuk mbaron me kaq. Aty pati kafaze. Rojat u thoshin fëmijëve që qanin që nuk u lejohej të përqafonin njëri-tjetrin. Dhe pastaj detaji ngjethës, i raportuar nga “Texas Monthly”. Rojat kufitare amerikane nuk ua thonë gjithnjë prindërve që po u marrin fëmijët për t’i çuar diku larg. U thonë që po i marrin  për t’u bërë dush. Fëmija largohet dhe pas 20 minutash, pas një ore, kur prindërit pyesin: “Ku është pesë-vjeçari im?” “Ku është shtatë-vjeçari im?” “Pse po zgjat kaq shumë ky dushi”. Dhe aty oficeri u thotë se nuk do ta shohin më fëmijën. Është e njëjta gjë që u thoshin hebrenjve: “Do të bëni një dush”, e pastaj i ekzekutonin. Por përdorimi i kësaj gënjeshtre është jehonë nga e shkuara, e madje me zë shumë të lartë.

Dhe nëse mekanika e këtij operacioni kujton diçka, po ashtu kujton edhe propaganda dhe retorika e atyre që i mbrojnë këto ngjarjes. Nuk keni pse të ktheheni në Gjermaninë e viteve 1930 për të ditur se hapi i parë drejt katastrofës është dehumanizimi i një grupi që fyhet. Kjo ndodhi në Ruandë e në Ballkan në vitet 1990, dhe tani po ndodh në SHBA. “Nuk janë njerëz, por kafshë”, tha presidenti amerikan muajin e shkuar. “Duan të mësyjnë vendin tonë”, shkroi këtë javë në Twitter. “Mësyjnë”, është fjalë që përdoret për minjtë dhe insektet. Kjo është gjuha e atyre që duan të ulin simpatinë njerëzore për një grup, duke sugjeruar se ata që po vuajnë nuk janë njerëz.

Mbrojtësit e Trumpit e përforcojnë këtë mesazh. Ishte tronditëse të shihje se si zgërdhihej Steve Hilton (i cili ka qenë dikur “guru pa këpucë” i “Downing Street” të David Cameron, tani i kthyer papritur në drejtues lajmesh për Fox News) kur Ann Coulter i quante fëmijët që qanin “aktorë”. Mesazhi i saj u përsërit edhe nga Nigel Farage po në Fox, i cili e nxiti Trumpin që të mos lëkundej nga “çjerrjet e medias liberale, por të qëndronte e fortë”.

Farage të kujton se kjo dukuri nuk po ndodh vetëm brenda SHBA-ve. Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, ka bërë thirrje për një pastrim (ose spastrim) të vendit nga refugjatët, “rrugë më rrugë e lagje më lagje”. Plani i tij është të regjistrojë romët që jetojnë në Itali. “Ata me nënshtetësi italiane, për fat të keq duhet t’i mbajmë”, tha ai.

Shenjat janë aty, nëse duroni t’i shihni. Në botën tonë po ndodh diçka. Të tjerë kanë vënë re se si po nis të shkërmoqet arkitektura botërore e ndërtuar pas-vitit-1945, teksa Trump minon aleancat me perëndimin dhe favorizon tiranitë autoritare. Por rendi botëror i pas-luftës është duke u shkërmoqur në një mënyrë tjetër, edhe më të shëmtuar.

Normat dhe tabutë që u vendosën pasi bota dëshmoi Holokaustin janë duke u shkelur para syve tanë. Për 70 vite, sa jetëgjatësia e një njeriu, bota i vuri kapak impulseve të errëta që kemi parë të vërviten brenda secilit prej nesh. Po nis të bëhet tabu të ngresh zërin kundër racizmit dhe ksenofobisë. Frika e neveria ndaj të huajit nuk ishte larguar kurrë, sigurisht. Por e kishim mbajtur nën kontroll, pjesërisht nga fakti se dihej ku të çonte urrejtja e shfrenuar.

Në këto çaste, në SHBA, Itali, Hungari, Poloni e vende të tjera, këto kapakë janë hequr. Madje, heqja e tabuve duket sikur u ngjall një emocion mashkulli agresiv, duke u bërë jehonë fjalëve dhe ngjarjeve të epokës më të errët të historisë njerëzore. Duket sikur kufijtë që u shkruan pas viteve 1945, për të shënuar se cila pjesë e sjelljes njerëzore ishte e pranueshme, ishin thjesht viza në rërë dhe tani ka nisur batica.

Kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Kjo ndodh pak e nga pak, fjalë pas fjale, dhe çdo hap që hedhim në këtë drejtim na zbret gjithnjë e më thellë në gropë. Kjo është arsyeja se pse secili nga ne duhet ta luftojë tmerrin e sotëm. Nëse nuk luftojmë, kushedi se çfarë tmerresh na presin.

Jonathan Freedland, The Guardian

Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here