As katër vjet nga vrasja e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista, organet e ndjekjes nuk kanë arritur ta identifikojnë asnjë të dyshuar.

Vrasja e Pistës ishte bërë në natën e 15 qershorit të vitit 2014, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, ku ai kishte dalë më i votuari i PDK-së, pas kreut të kësaj partie në atë kohë Hashim Thaçit, në komunën e Rahovecit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila është duke e hetuar këtë rast, nuk ka arritur ende të gjejë ndonjë provë, e cila do të dërgonte në përfundimin e misterit të vrasjes së Pistës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ali Uka, i cili është duke e hetuar këtë rast, i ka thënë gazetës “Zëri” se edhe pse kanë intervistuar secilin person të mundshëm që në çfarëdo mënyre ka qenë i lidhur me Pistën, nuk kanë arritur ende të sigurojnë ndonjë detaj që do t’i dërgonte te zbardhja e vrasjes.

“Njëherë për njëherë ende asgjë s’ka. Kemi intervistuar çdo dëshmitar të mundshëm, nganjëherë kemi urdhëruar që dëshmitarët të intervistohen nga dy herë në Polici, por prapë nuk kemi arritur të zbulojmë diçka që do të dërgonte te ndonjë i dyshuar”, është shprehur prokurori Uka.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here