E pranueshme, gëzimi për një eveniment të tillë nuk është kaq i thjeshtë…Kampionati Botëror 2018 fillon, po ku është emocioni? Gëzimi për pesë javë futboll, për baste lojërash me kolegë apo  për traditën gjermane të ndeshjeve që shihen në grup me birra në dorë dhe salçiçe. Më parë kjo ndjesi ishte brenda nesh, para se të fillonte kampionati…apo?

Ndërkohë që vramendja për gëzimin që mungon vazhdon, aktivizohet edhe arsyeja. Po sigurisht që gëzimi nuk ngre kokë, me kaq shumë probleme, me kaq kryetituj negativë, skandale që para garës futbollistike si do lindë ndjenja e gëzimit? Fillo me mikpritësin Rusinë: Një vend që përpiqet fshehtas të eliminojë njerëzit me helm nervor, që anekson Krimenë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, që bombardon spitale në Siri, që kryen sulme hakerash në vendet gjoja miq, që i lejon vetes luksin e kampionatit më të shtrenjtë në histori, kur shumë rusë janë të varfër, që gënjen  botën e sportit me sistemin e dopingut, që kërcënon gazetarët që i zbulojnë skandale të tilla, – a mundet një vend i tillë të jetë mikpritës i Kampionatit Botëror të Futbollit?

Kësaj i shtohet që prej kohësh asaj që dihet, se disa nga vendimmarrësit e shpërndarjes së kampionatit tek FIFA kishin bërë pazare të dyshimta me koncernin shtetëror Gazprom?

Logjika vetanake e FIFA-s

Tjetra, të marrim FIFA-n: koncernin organizues, më falni, shoqata jo e orientuar nga fitimi, sipas të drejtës zvicerane. Ajo ndëshkon federata si ajo e Nigerisë për “përzierje politike” duke i përjashtuar nga kampionati (2014) dhe shpërblen nga ana tjetër federata si atë të SHBA-së për “përzierje politike” në një kampionat…apo si ta kuptojmë ndryshe mesazhin në twitter të Donald Trumpit në botën e futbollit, para shpërndarjes së kampionatit për vitin 2026. Kjo është pak a shumë si të marrësh kartonin e kuq për një përpjekje të kapjes së topit në rrëshqitje e sipër dhe për përpjekjen tjetër menjëherë kupën.

E qartë, ka shumë arse që të mos gëzohesh për këtë kampionat. Por të paktën një arsye ka: Kampionati i afron njerëzit. E ka bërë këtë gjithmonë. E me marshimin global të futbollit kjo forcohet edhe më shumë. Futbolli është një gjuhë që e kupton gjithkush, në çdo vend të botës. Ai i bashkon njerëzit nga vende të ndryshme, ata shkëmbehen, dialogojnë, mësojnë nga njëri-tjetri, zbusin paragjykimet, kalojnë kufijtë. Pikërisht heqja e këtyre kufijve do të ishte një sukses për kampionatin.

Do të sjellë sporti suksesin e 2018-s?

Në mesin e krizave diplomatike dhe rusëve gjithnjë e më të izoluar, kampionati i futbollit ofron një shans për afrim. Krahas një gjysmë milione vizitorëve që priten, nuk do të ishte keq që një shans të tillë ta shfrytëzonin edhe politikanët. Ndërkohë që bojkotimet e evenimenteve të futbollit nuk kanë sjellë asnjë rezultat, ky vit ka treguar, se çfarë roli ndërlidhës luan futbolli. Lojërat Olimpike në Pyoenchang në fillim afruan dy Koretë në sport, pastaj edhe në parketin politik. Nëse kjo do të bëhet e mundur mes Rusisë dhe perëndimit atëherë mund të flitet për një ëndërr vere të kampionatit.

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!/DW

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here