Greva e kamionistëve në Brazil, në ditën e saj të pestë, tashmë është kthyer në një emergjencë kombëtare ku presidenti i vendit Mishel Temer ka mobilizuar forcat e armatosura dhe shërbimet e sigurisë për të liruar trafikun në vend.

Dy ditët e fundit ka pasur mungesë të theksuar në furnizimin ushqimor dhe me karburant. Edhe pse fillimisht ishte folur për një marrëveshje mes qeverisë dhe 9 nga 11 organizatat e kamionistëve në protestë, situata është e tensionuar teksa kërkesa kryesore është ajo e uljes së çmimit të karburantit.

Sipas mediave braziliane rreth një milion kamionë kanë bllokuar më shumë se 900 pika kryesore në 22 autostrada në vend. 11 aeroporte deklaruan se kanë problem me furnizimin me karburant duke bërë që të anulohen me dhjetëra fluturime.

Porti i Santos, terminali kryesor i anijeve në Amerikën Latine, ka mbetur i izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe në disa qytete është pezulluar mësimi në shkolla publike.

Shoferët e automjeteve ankohen për radhët e gjata në pikat e karburantëve ku çmimet po thyejnë çdo rekord, spitalet nuk po furnizohem me ilaçe, ndërsa rreth një miliard pula e dy milionë bagëti rrezikojnë të ngordhin pasi nuk po ushqehen. Presidenti i vendit deklaroi se ushtria do të lirojë rrugët, pasi popullsia duhet të furnizohet me materialet bazë. Por kamionistët kanë kërcënuar se nëse ushtria do të ndërhyjë atëherë do të ketë gjakderdhje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here