Hasna Ait Boulahcen

Terroristja nuk e kishte lexuar asnjëherë Kuranin 

terroristja26-vjeçarja Hasna Ait Boulahcen u bë femra e parë terroriste që hedh veten në erë në një vend të Europës. Ajo shtypi detonatorin në momentin kur forcat speciale franceze do të hynin në apartamentin e saj në rrugën Saint Denis në Paris. Veç vetes, viktimë e shpërthimit ishte edhe një qen i forcave speciale franceze. Menjëherë pas identifikimit të saj, përveç autoriteteve franceze, profili i 26-vjeçares është vënë nën vëzhgim të hollësishëm edhe nga mediat. Britanikja “Daily Mail”, publikoi disa imazhe që tregojnë Hasna-n krejt normale, një vajzë që pëlqente festat, muzikën dhe e shoqërueshme, ndërkohë që vëllai i vet deklaroi se motra e tij nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për fenë dhe nuk ka lexuar kurrë Kuranin.

 

Videoja

Abdeslam i qëllon një gruaje, por arma i bllokohet 

Terroristi i afrohet një personi të shtrirë në tokë, poshtë një tavoline. I drejton armën në kokë dhe qëllon. Por arma bllokohet dhe terroristi ia mbath. Janë këto pamjet e marra nga një kamera me qark të mbyllur në një nga lokalet e sulmuara të premten mbrëma në Paris nga grupi i terroristëve të IS-it. Videoja është publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”. Media britanike njofton e bindur se terroristi i filmuar në këtë rast është shtetasi belg, Salah Abdeslam. Ngjarja e filmuar ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit, me 26-vjeçarin që i ka vendosur në kokë armën gruas, e cila ka shpëtuar për mrekulli. Persona të tjerë të ulur në tryezat e lokalit janë strehuar menjëherë brenda tij.

FBI

SHBA paralajmërojnë Italinë për sulme terroriste 

Alarmi për akte të mundshme terrorizmi në Itali është shtuar shumë së fundmi. Sipas një raporti të Drejtorisë hetimore të Antimafies, FBI ka paralajmëruar se rreziku i atentateve në Itali është rritur, megjithëse nuk ka sinjale të drejtpërdrejta kërcënimi. Me sa dihet, pikat më delikate konsiderohen bazilika e Shën Pjetrit në Romë, ajo e “Duomos” në Milano dhe teatri “La Scala”, po në Milano. Në dokumentin që ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara duket se nuk ka asnjë element kohor, ose të dhënë mbi llojin e mundshëm të atentateve. Megjithatë, në Milano janë dërguar menjëherë 250 forca shtesë. Ndërkohë, në Itali po përgatitet edhe një plan i veçantë sigurie për periudhën e Jubileut të jashtëzakonshëm, që hapet pas pak javësh më 8 dhjetor.

Alarmi

Sulmi në Bosnjë konfirmohet si “akt terrorist”

Sulmi dhe vrasja e dy pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Bosnjë- Hercegovinës në rajonin Rajlovac, është akt terrorist, ka thënë dje Prokuroria e shtetit të vogël federal ballkanik. Një person i armatosur vrau mbrëmjen e së mërkurës dy ushtarë dhe plagosi pesë persona të tjerë në periferi të Sarajevës. I armatosuri më pas vrau veten, pasi policia e Bosnjës rrethoi shtëpinë në të cilën ai ishte fshehur. Sulmi ndodhi në një dyqan bastesh në kryeqytetin boshnjak. Sulmuesi u identifikua nën emrin Enes Omeragiç. Mediat në Sarajevë raportuan dje se ai kishte qenë mbështetës i lëvizjes Salafiste, një ideologji ultrakonservatore e Islamit, e cila shpesh promovon xhihad të dhunshëm. Rreth gjysma e 3.8 milionë banorëve të Bosnjës janë të besimit mysliman.

Ky shkrim Lajme bote shkurt u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here