Marrëveshja për vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka mbi 2 vjet e gjysmë që është nënshkruar në Vjenë, por ajo ende nuk e ka marrë bekimin e të zgjedhurve të popullit.

Opozita e legjislaturës së kaluar por edhe një pjesë e opozitës së sotme janë duke e kundërshtuar këtë Marrëveshje dhe si pasojë nuk po arrihen votat e mjaftueshme për ratifikimin e saj.

Marrëveshja e nënshkruar nga dora e ministrit të atëhershme të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi më 26 gusht 2015 në kryeqytetin e Austrisë vazhdon të jetë tema kryesore e diskutimit në tavolinat e politikanëve deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç Thaçit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes prezentë kanë qenë edhe ish-kryeministri Mustafa dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Të tre këta, mbrojtës të vendosur të Marrëveshjes së 2015.

Megjithatë diskutimet publike për këtë Marrëveshje nuk kishin filluar në gusht të 2015, por kohë më parë.

Fillimisht Qeveria e fundit e Thaçit, me 21 mars të 2012 i kishte emëruar anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ku si kryetar ishte emëruar, Murat Meha dhe 4 anëtarë të tjerë.

Diskutimet në Kuvendin e Kosovës, e përmes mediave kishin filluar edhe më herët.

Mirëpo komisioni shtetëror, i kryesuar në atë kohë nga Murat Meha kishte nisur punë 3 vjet më herët. Sipas një dokumenti, të cilin e ka siguruar “Gazeta Jeta në Kosovë”, takimi i parë zyrtar i komisioneve të dy shteteve ishte zhvilluar më 7 nëntor 2012, rreth 8 muaj pas emërimit.

E deri më sot kanë kaluar 1 mijë e 953 ditë prej takimit të parë të dy delegacioneve. Përkthyer në ditë, i bie 1952 ditë më parë apo 5 vjet e 4 muaj e 1 javë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovë ishin barrikaduar për ta kundërshtuar këtë Marrëveshje.

Ata kishin përdorur mjete të ndryshme për ta kundërshtuar këtë, duke filluar nga gjuajta me vezë në drejtim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa e duke përfunduar tek hedhja e gazit lotsjellës, ujit e shisheve të ndryshme në drejtim të anëtarëve të Qeverisë, deputetëve të koalicionit qeverisës e Policisë së Kosovës që ishin ftuar për të ofruar siguri për mbarëvajtjen e seancave plenare.

Përveç këtyre, opozita e atëhershme një kohë të gjatë as nuk kishte marrë pjesë në seancat e Kuvendit si pjesë e kundërshtimit të kësaj Marrëveshje por edhe asaj të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Madje ishin mbajtur edhe protesta të mëdha e të dhunshme në kundërshtim të Demarkacionit. Arrestime e dënime të deputetëve e aktivistëve për pretendimet për veprime jo të ligjshme.

Madje një deputet i Vetëvendosjes dhe 3 aktivistë tjerë janë akuzuar dhe dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

Javë më parë, Gjykata e Apelit i kishte liruar të akuzuarit dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Madje, partitë opozitare për disa ditë, derisa Policia e Kosovës i kishte larguar, kishin qëndruar në tenda në sheshin ‘Skënderbeu’ në para Qeverisë dhe Kuvendit.

Krejt këto për ta kundërshtuar marrëveshjen e Demarkacionit dhe Asociacionit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, që mandatin e kaluar ishte në opozitë, kishte dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, pikërisht pse kundërshtimet e tij për Marrëveshjen e Demarkacionit ishin injoruar nga siç i kishte quajtur ai atëherë, uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit. Sot, partia e Haradinajt po qeverisë në koalicion me PDK-në, që dikur për të kishin qenë “uzurpator të pushtetit”

“…Konsideroj se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk është më një institucion demokratik dhe rrjedhimisht unë nuk e shoh vetën më pjesë të kësaj legjislature”, kishte thënë Haradinaj në ditën e dorëheqjes.

Ai që dikur e kishte vënë firmën (nënshkrimin) e tij në Vjenë se bashku me homologun e tij, ministrin e jashtëm Igor Llukshiq për shënjimin e kufirit, 2 vite e gjysmë më vonë e dha edhe një nënshkrim tjetër por në relacion krejtësisht tjetër, si president.

Hashim Thaçi ‘befasoi’ opinionin publik por edhe partitë opozitare ku 1 ditë para 10 vjetorit të pavarësisë shpalosi një marrëveshje me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviq. Marrëveshje të cilën Thaçi preferon ta quajë deklaratë të përbashkët.

E këtu ‘deklarohej’ që palët janë pajtuar që ratifikojnë këtë marrëveshje dhe pas kësaj, një trup i përbashkët punues do të rishikoj dhe korrektoj në mënyrë specifike sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, dy prej pikave më kontestuese nga pala kosovare se po mbesin andej kufirt, e do duhej të ishin këndej.

Kjo marrëveshje u mirëprit pothuajse  nga të gjitha partitë politike në vend, përveç Vetëvendosjen që vazhdon ta kundërshtojë si dhe Lista Serbe e cila ende zyrtarisht nuk është deklaruar nëse e mbështet apo jo, mirëpo që nuk po merr pjesë në Kuvendin e Kosovës kur kjo marrëveshje po sillet për votim.

E për Lëvizjen Vetëvendosjen ky akt i Thaçit është tradhti. Ata madje kanë bërë kallëzim penal ndaj presidentit të Republikës për “tradhti ndaj vendit”.

Por për Haradinaj, nuk është më tradhti. Ai e ka “pranuar” marrëveshjen me raportin e Murat Mehës, të cilin e kishte quajtur “peder” dhe ia kishte përplasur një hartë në fytyrë, krejt tash pas kësaj deklarate (marrëveshje) në mes të presidentëve.

Ai ka pranuar ta votojë Marrëveshjen e për Glauk Konjufcën e Vetëvendosjes mbështetja e Haradinajt tani për këtë mënyrë të kalimit të marrëveshjes e bënë atë ‘të pafytyrë”.

“Ju kujtohet ai rasti kur ia pat hedhë hartën në fytyrë Murat Mehës, e tash problemi është që ai që po mbetet pafytyrë është kryeministri i Kosovës, kurse fatkeqësisht po ngadhënjen vet Murat Meha”, kishte thënë Konjufca disa ditë pasi u publikua deklarata e presidentëve.

Haradinaj nuk i kishte rënë pishman vetëm kësaj Marrëveshjeje. Brenda 24 orësh, ai i ra pishman edhe për Projektligjin e Demarkacionit që përveç Marrëveshjes përmban edhe 2 pika tjera.

Me të ardhur në krye të Qeverisë, vendimin e parë që e kishte marrë Haradinaj kishte qenë shkarkimi i komisionit shtetëror. Ai kishte emëruar në këtë komision, ekspertë që në të kaluarën e kishin mbështetur kauzën e tij, se Kosova po humbet territor. Ish deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi u bë zëvendësues i Murat Mehës, për të udhëhequr komisionin shtetëror.

E pjesë e projektligjit, përveç Marrëveshjes dhe deklaratës së presidentëve, Qeveria kishte vendosur ta fuste edhe raportin e komisionit të udhëhequr nga Bulliqi.

Këtu lindën problemet e reja. LDK-ja kërkonte që t’i shtohej pjesa “Orientim”, që sipas tyre do kuptohej që në të ardhmen grupi punues do ta përdorë si orientim raportin e Bulliqit. Haradinaj ishte ‘betuar’ se s’do ta lejojë këtë, mirëpo 24 orë më pas, përmes një konference për media, ai njoftoi se ka pranuar propozimin e LDK-së.

Pas të gjithë këtyre diskutimeve, marrëveshjeve e konsensuseve, Kryesia e Kuvendit kishte vendosur që ta thirrte seancën ku në rend të ditës do të ishte edhe Projektligji i Demarkacionit.

Pas tri tentativa, Kuvendi ende nuk i ka arritur votat e mjaftueshme. Ata nuk po guxojnë ta hedhin në votim.

E këtë po presin që ta bëjnë gjatë kësaj jave, për herë të katërt. Partneri i koalicionit dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli tha sot gjatë ditës se demarkacioni do të përfundojë brenda javës së dytë të marsit. Java e dytë e marsit do të përfundojë këtë të premte.

Deri këtu kishte arritur edhe Qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa, veçse ai e kishte dërguar në Kuvend vetëm njëherë.

Me 1 shtator të 2016, nga Qeveria marrëveshje kishte shkuar në Kuvend për tu kthyer përsëri mbrapshtë.

E një prej arsyeve pse PDK-ja e kishte mbështetur mocionin e Nismës për Kosovë për rrëzim të Qeverisë, kishte qenë se: “Mos marrja e vendimeve të mëdha”.

Gjatë këtyre viteve të Demarkacionit janë organizuar disa protesta nga partitë opozitare për të kundërshtuar ratifikimin e kësaj Marrëveshje, e së fundi u tentua të protestohej edhe për kalimin e kësaj marrëveshje, por protestat e tilla dështuan, protestuesit ishin në numër dyshifror.

Kalimi i demarkacionit është një prej kushteve kryesore për liberalizim të vizave, e këtë e kanë thënë të gjithë zyrtarët evropianë që kanë vizituar Kosovën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here