Mbi një kodër të pjerrët që shikon fshatin, hyrja e madhe harkore të shpie te memoriali i masakrës së Reçakut. Pllaka e madhe e mermerit mban emrat dhe fytyrat e viktimave, ndërsa shtigjet dredharake çojnë tek vargjet e varreve të mbuluar me lule. Një grup punëtorësh janë të zënë me riparime të momentit të fundit përpara ceremonisë të së hënës — të lumtur që ndihmojnë pa pagesë nga respekti për viktimat.

Çdo 15 Janar, masakra e Reçakut përkujtohet përmes ceremonisë ku marrin pjesë familjet e viktimave, qytetarët, politikanët vendorë, dhe përfaqësuesit e institucioneve.

Duke ecur rrugëve të Reçakut takuam Egzon Bilallin, një nëntëmbëdhjetë vjeçar i cili është rritur në këtë fshat, i cili pranoi të na shoqëronte. Egzomi është i lindur vetëm disa muaj përpara masakrës, por është rritur duke dëgjuar tregime për atë se çfarë kishte ndodhur atij mëngjesi.

Herët më 15 Janar 1999, të shtënat ishin dëgjuar në drejtim të fshatit Reçak, rreth një kilometër larg qytetit të Shtimes. Misioni i monitorimit i OSBE-së që ishte prezent asokohe, zbuloi se rreth 45 shqiptarë, mes të cilëve burra, gra, dhe fëmijë, ishin gjetur të vrarë me të shtëna nga afër prej forcave serbe.

Masakra e Reçakut nuk ishte vetëm dëshmi e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë, por ishte gjithashtu ngjarja që alarmoi komunitetin ndërkombëtar, duke vënë në lëvizje kështu një sërë ndodhish që do të rezultonin në tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe fundin e luftës.

Ndërsa vazhduam të ecim rrugëve të fshatit, Egzoni na çoi tek vendi ku kishin pas ndodhur vrasjet. Filluam të ngjitemi shkallëve të ndërtuara nga banorët për ta lehtësuar qasjen vendit, ndërsa Egzoni na tregoi shtëpinë muret e së cilës akoma i kishin vrimat e plumbave nga ajo ditë kur viktimat u vranë. Ishte në bodrumin e kësaj shtëpie që grupi i civilëve kishte kërkuar strehim, por më pas ishin zbuluar dhe tubuar nga forcat serbe.

“I kanë gjetë, i kanë rrehë, dhe i kanë çu përpjetë,” tha Egzoni, ndërsa kujtonte ndodhitë që ia kishte treguar axha i tij Afeti, një nga të mbijetuarit e masakrës. Atë ditë axha tjetër i Egzonit, Lutfiu, e kishte humbur jetën, dhe gjyshi i tij Hasani kishte mbetur i plagosur. Egzoni ishte veç nëntë muajsh në kohën kur masakra kishte ndodhur, dhe kishte asokohe ishte në Ferizaj me pjesën tjetër të familjes që ishin larguar më herët për shkaqe sigurie.


Egzon Bilalli nga Reçaku, në vendin ku u gjetën civilët e vrarë në janar 1999. Foto: Atdhe Mulla

Shkallët mbaruan dhe filluam të ndjekim shtegun e përbaltur që çonte më thellë lartë malit. Drunjët dhe shkurret kacavirreshin nga të dyja anët e shtegut të ngushtë, dhe po të mos ishin disa gurë të ngjyrosur kuq, shtegu do të mund të dukej si çdo tjetër. Gjyshi i Egzonit, Hasan Bilalli, e kishte filluar këtë traditë, duke lyer me të kuqe çdo vend ku kishte pasur gjak apo ishte gjetur trupi i ndonjë viktime.

Duke u ngjitur shtegut, gur i kuq pas gurit të kuq, fillon të të kaplojë një ndjenjë rrëqethëse.

Çdo vit, pas homazheve ndaj viktimave, gjyshi i Egzonit, Hasani, i merrte nipat e tij për te “shtegu i kuq”. Ndërsa ngjiteshin, ai ndalonte te çdo pikë e kuqe dhe rrëfente tregime dhe kujtime për njerëzit që kishin vdekur asaj dite.

“Na tregojke se nuk guxojmë me harru kurrë se çka ka ndodhë këtu”, tha Egzon Bilalli. “Kur (gjyshi dhe mixha) tregojshin për këto qysh ka ndodhë, atëherë edhe nuk e kuptojshim (rëndësinë). Kam qenë i ri atëherë, por tash i kuptoj”.

Hasan Bilalli ndërroi jetë rreth para katër vitesh, por tradita e tij e “shtegut të kuq” vazhdon me nipin e tij Egzonin dhe të tjerët në fshat. Ata vazhdojnë me lyerjen e gurëve me ngjyrë të kuqe dy ose tri here në vit, në këtë mënyrë duke e mbajtur gjallë kujtimin e të vrarëve.

Por mbajtja gjallë e kujtimeve nuk është edhe aq e lehtë; kompleksi memorial i Reçakut veçse ka filluar të rrënohet — shkallë të thyera, pllaka të rëna mermeri, dhe prishje tjera të shkaktuara nga moti — gjëra të cilat punëtorët nxitonin t’i rregullonin përpara ceremonisë të së hënës.

Memorialin e shikon nga sipër përmendorja e William Walker, personit përgjegjës për sjelljen e ngjarjes së Reçakut përpara botës. Statuja gjashtë metërshe e shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së asokohe në Kosovë është zbuluar vitin e kaluar gjatë përvjetorit, si mirënjohje për rolin e tij në ndihmën drejt intervenimit ndërkombëtar në Kosovë.

Deklarata e Walker-it se ajo çka ka ndodhur në Reçak është krim kundër njerëzimit, siguroi që shtetet parësore të NATO-s të mobilizohen për të siguruar mbështetjen për intervenimin në Kosovë, duke mos lënë përshkallëzimin e krimeve ndaj popullsisë civile. Me dështimin e konferencës së Rambujesë në Francë gjatë shkurtit e marsit 1999 — si dhe ultimatumeve të NATOs për sulme ajrore nëse Milosheviqi nuk do të ndalonte përdorimin e forcës — ngjarjet e tmerrshme në Reçak u përdorën si justifikim për fushatën ushtarake që pasoi dhe bombardimin e Jugosllavisë, që çuan në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.


Përgatitjet e fundit në kompleksin memorial në Reçak para përvjetorit të masakrës. Foto: Atdhe Mulla

Por edhe pas nëntëmbëdhjetë vitesh, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të masakrës nuk kanë arritur të gjejnë përmbyllje apo drejtësi për masakrën. Sllobodan Millosheviqi dhe tjerët u paditën në vitin 2001 nga Gjykata e Hagës për vrasjen e viktimave në Reçak. Sidoqoftë, vdekja e Millosheviqit në vitin 2006 e la procesin gjyqësor të papërfunduar.

Në vitin 2011, Vllastimir Gjorgjeviq, një ish udhëheqës i lartë i policisë serbe, u shpall përgjegjës për krimet e deportimit, transferit të dhunshëm, vrasje, dhe persekutim nëpër të gjithë Kosovën gjatë periudhës së luftës. Gjorgjeviq tani është afër vuajtjes së gjysmës së periudhës së dënimit të tij 18-vjeçar për këto krime.

Ndërsa Gjykata e Hagës përfundoi se Gjorgjeviqi ishte përgjegjës për masakrën e Reçakut pasiqë kishte qenë në afërsi të Stacionit Policor të Shtimes atij mëngjesi kur 45 shqiptarë të Kosovës ishin vrarë në Reçak, gjykata nuk i kishte përfshirë këto vrasje zyrtarisht në aktakuzën e tij. Pavarësisht kësaj njohjeje indirekte të rolit dhe përgjegjësive të Gjorgjeviqit, gjyqësia ndërkombëtare përsëri zhgënjeu familjarët, viktimat, dhe të mbijetuarit e 15 Janarit 1999.

Dhe, përpos kësaj, banorët e Reçakut ndihen të anashkaluar nga vetë institucionet e Kosovës — nga mungesa e perspektivës ekonomike e deri te ndjenja se të tjerët po përfitojnë nga tragjedia e tyre.

“Në Reçak jemi t’shkelun si me qenë të së dytës dorë”, thotë Asllan Bilalli, babai i Egzonit. “Nuk du me akuzu as me çështje partiake, e as që është najkush me naj pozitë të naltë, a najçka. (Por) Le t’më thotë cilido politikan se çka kan ba në Reçak? Përpos këtë kompleks (memorial). Me cilin do politikan ulna (me folë), edhe për çështje ekonomike, edhe për ndërtimin e fshatit, edhe për ndihmat e Reçakut, edhe për punësimin e punëtorëve të Reçakut. A besoni që ata përfitojnë në emër të Reçakut — përfiton Komuna, udhëheqsat.”

Por djali i tij Egzoni ka ambicie për t’i kontribuuar sadopak fshatit të tij. Ai për momentin ndjekë vitin e parë në Universitet, duke studiuar psikologjinë. Ai reflekton se mbase ngjarjet në Reçak mund të ishin arsyeja pse ai e kishte zgjedhur këtë temë. Duke qenë aq afër tragjedisë, ai pa rëndësinë e të kuptuarit të traumës dhe shëndetit mendor.

“Ka nevojë në fshat; për shembull ka disa që nuk janë në gjendje as me folë (për ngjarjet që kanë ndodhë). S’di qysh kan mujt m’i lan njerëzit pa trajtu (për gjithë këtë kohë)”, tha ai.

Pak ditë para përvjetorit, rinia e Reçakut mblidhen për të organizuar turnirin përkujtimor në futboll që e quajnë “Ditët e Reçakut”. Si njëri prej organizatorëve, Egzoni bashkë me shokët e tij kanë kërkuar edhe mbështetjen nga komuna e Shtimes, por pa shumë sukses, përveç disa medaljeve për fituesit që ua kanë dhuruar vitin e kaluar.

Është zgjedhje e tyre e qëllimshme që ta mbajnë turneun një javë përpara ceremonisë përkujtimore të dhimbshme.

Rinia e Reçakut i sjell një frymë të freskët fshatit dhe bëjnë që Reçaku të mos për vetëm me tragjedinë që i ka ndodhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here