Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje i hap dyert për integrime euroatlantike, normalizim dhe pajtim në mes dy vendeve.

“Nuk jam matematikan të bëj kalkulime se cili është probabiliteti i arritjes së marrëveshjes së tillë. Nuk funksionojnë kështu negociatat. Në çdo rrethanë jam 100 për qind i bindur se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme prosperuese për të dy shtetet”, ka deklaruar Çollaku.

Ai ka folur edhe për kontestimin që po i bëhet presidentit Thaçi nga opozita për udhëheqjen e dialogut, duke thënë se legjitimiteti i presidentit për ta udhëhequr këtë proces, bazën ligjore e ka fillimisht tek Kushtetuta dhe tek legjitimiteti i Kuvendit të Kosovës i cili e ka zgjedhur atë si president.

Në këtë aspekt, Çollaku ka thënë se nuk ka asnjë hapësirë ligjore për ta kontestuar presidentin në udhëheqjen e dialogut.

“Në anën tjetër, përfaqësimi i Kosovës në këtë proces është krejtësisht i harmonizuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryeministrin dhe të gjitha partitë parlamentare që janë të interesuara për t’u përfshirë dhe për ta dhënë kontributin e tyre në të mirë të shtetit tonë”, është shprehur ai.

Çollaku ka vlerësuar se dialogu është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen, prandaj në fazën e tij finale duhet të përfshihen të gjithë aktorët kryesorë.
Ai ka thënë se moszbatimi i disa prej marrëveshjeve të arritura nuk mund ta vë në pikëpyetje vazhdimin e procesit të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes obliguese për të dyja vendet.

“Prandaj, është absurde të vihen në pikëpyetje dialogu dhe marrëveshja eventuale kur dihet se kjo i shërben paqes dhe stabilitetit tonë shtetëror dhe rajonal”, ka deklaruar Çollaku.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here