Ai tutje tha se dialogu është shumë i vështirë, por që sipas tij zgjidhja përfundimtare do të diskutohet me fuqitë e mëdha.

“Vuçiq dhe unë kemi biseduar vazhdimisht me zyrtarët rusë. Ne nuk bëjmë asgjë prapa krahëve. Nga ana tjetër kjo është një temë që diskutohet me vende të rëndësishme, pavarësisht se dialogu udhëhiqet nga BE-ja”, tha ministri i jashtëm serb në një konferencë për media, pas vizitës në Moskë, transmeton lajmi.net.

Kryediplomati serb po shpreson që në raport me Kosovën, ka ndryshuar edhe qëndrimi i Amerikës. Ai e argumenton me administratën e re që është instaluar në SHBA nga presidenti Trump.

“Është e vërtetë që ka një ndryshim në qëndrimin e SHBA-së për zgjidhjen finale të Kosovës. Deri më tani Amerika ka pasur qëndrim të fiksuar, por tash ka ndryshuar. Ata nuk preferojnë të ofrojnë zgjidhje, por duan që të ketë një zgjidhje të pranueshme dhe kjo është e gjitha”, tha Daçiq.

Ai shtoi se nuk është e mjaftueshme që vetëm t’i happen dyert dialogut.

Daçiq e ka theksuar për të disatën herë se shteti serb nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pa një dialog të mirëfilltë. Madje nuk do ta pranojë as anëtarësimin në OKB.

“Ne jemi kundër anëtëarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, derisa të zgjidhet statusi i Kosovës. Nëse nuk ka dialog, kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës”, deklaroi ai.

Ivica Daçiq nuk ka dashur t’i komentojë qëndrimet e Milorad Dodik, i cili kërkoi nga Beogradi ta marrë nën pronësi Veriun e Kosovës. /Lajmi.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here